Kryetarët e fshatrave të njësisë administrative Martanesh, ne Bashkinë Bulqizë, kanë mësyer në zyrën e kryebashkiakut të duke ju ankuar se HEC – et që ushtrojnë aktivitetin në zonën e tyre, nuk zbatojnë kontratat, për reduktimin e shfrytëzimit të ujit gjatë stinës së verës, për tu perdorur për vaditjen e tokës.
Në lidhje me këtë situatë të krijuar, kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, ka zhvilluar një takim me kryepleqtë dhe pronarët e HEC-eve për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi. Kryetarët e fshatrave ngritën shqetësimin se pronarët e HEC – eve, jo vetëm se nuk zbatojnë kontratën për ndërprerjen e punës, gjatë tre muajve të verës, por nuk kanë bërë asnjë lloj investimi, në pjesët infrastrukturore të lejeve të shfrytëzimit.
Kryebashkiaku Alla, u kërkoi pronarëve të HEC-eve që të respektojnë detyrimiet që burojnë nga kontratat në lidhje me vaditjen në territoret e tyre si dhe të ndihmojnë banorët e këtyre fshatrave, ndryshe, do të merren masa ndaj tyre.
Në zonat ku janë ndërtuar HEC-e banorët po përballen me mungesën e ujit vaditës, si pasojë e moszbatimit të kontratave që ndalojnë shfrytëzimin e ujit për energji elektrike nga data 15 Maj deri me 15 Shtator.