U zhvillua këtë të premte në ambjentet e sallës së mbledhjeve të Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Matit, ceremonia e dorëzimit të titullit të lartë “Qytetare Nderi” e Bashkisë Mat, pas vdekjes ish infermieres Sofie Murat Langa. Vendimi për dhënien e këtij titulli u mor pak ditë më parë nga Këshilli Bashkiak pas propozimit të bërë nga Drejtoria e Spitalit “Xhavit Mara” Burrel, shoqata e pensionistëve Mat dhe qendra shëndetësore Komsi, me motivacionin “Për punë të palodhur e të përkushtuar plot 35 vite si infermiere mami në shërbim të komunitetit matjan” e lexoi Kryetarja e Këshillit Bashkiak Elisa Gjasta.
Pllakada iu dorëzua familjarëve nga kryebashkiaku Agron Malaj i cili vlerësoi kontributin e Sofies.
Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues të këshillit bashkiak, këshilltarë, drejtues të Bashkisë së Matit, familjarë, e të njohur të qytetares së nderit Sofie Langa. Të pranishmit që morën fjalën, thanë se kontributi i Sofies ka qenë shumë i madh edhe në ditët më të vështira, duke iu shërbyer qytetarëve në çdo shtëpi.