Rekamë

Dy vatra të mëdha zjarri kanë përfshirë në fundjavë masivet pyjore në Bulqizë e Dibër. Dyshohet se dhjetë hektar pyje me pishë u dogjën në fshatin Vlashaj të Lurës. Për tre ditë me radhë banorët u përballën me zjarrin, ndërsa në ndihmë të tyre shkoi të dielën edhe ushtria. Flakët e zjarrit shkuan në zonën e banuar të fshatit Vlashaj ku dogjën dy banesa. Për shkak të flakëve u dogjën krejtësisht dy banesat e familjeve Nezir e Xhelil Bucit, të cilat përdoreshin si shtëpi pushimi.

Fatmirësisht flakët nuk shkaktuan dëme në njerëz, por vetëm dëme të mëdha materiale. Drejtues të Emergjencave Civile në Dibër thanë se vatra e zjarrit është vënë nën kontroll.

Një tjetër e zjarrit u shfaq në Njësinë Administrative Shupenzë të Bulqizës. Flakët kanë përfshinë pyjet me dushqe në fshatin Mazhicë. Banorët e fshatit iu erdhën në ndihmë specialistëve të Shërbimit Zjarrfikës në Bashkinë Bulqizë ku pas disa orësh luftë me flakët, arritën ta vënë nën kontroll. Për fat të mirë në këtë fshat nuk pati banesa të djeguara, ndërsa sipërfaqja e përshkuar nga flakët mendohet të jetë rreth 10 hektar.