
Një aksident tragjik është shënuar mbrëmjen e kësaj të Mërkure në fshatin Gjoricë të Bulqizës. Një automjet tip benz që vinte nga Maqellara ka goditur një tjetër mjeti tip benz 240 që po dilte nga fshati Gjoricë në rrugën e Arbrit.
Përplasja ka qenë shumë e fortë duke ndarë njërin nga mjetet në dy pjesë. Sipas policisë në mjetin që po dilte nga fshati Gjoricë udhëtonin 5 persona ndërsa në mjetin tjetër 2 persona.
Si rezultat i përplasjes fatale kanë humbur jetën në vendin e ngjarjes dy vëllezërit Murat e Kujtim Istrefi dhe në spital Lulzime Istrefi, të cilët po udhëtonin me mjetin tip Bez 240.
Po ashtu të plagosur kanë mbetur Mërgim Lazri 25 vjeç, Edison Lazri 20 vjeç, Kadrie Markeçi dhe Firuze Istrefi 56 vjeçe.
Është dashur ndërhyrja e mjetit zjarrfikës që të nxirrej një nga trupat e viktimave të këtij aksidenti pasi përplasja ka qenë shumë e fortë duke e ndarë mjetin në dy pjesë dhe ka mbetur i bllokuar drejtuesi.
Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit të rëndë. Ndërsa, paraprakisht dyshohet të jetë shpejtësia e lartë e mjetit që vinte nga Maqellara, mungesa e sinjalistikës dhe mungesa e fushëpamjes si rezultat i mjegullës.
Vetëm pak metra më larg aksidentit të mbrëmjes së sotme me 31 Dhjetor humbi jetën një 24 vjeçar pasi dol inga ura e Gjoricës dhe përfundoi në zallin e Bulqizës në një lartësi prej 30 metrash. Segmenti Ura e Çrenecit – Maqellarë është pjesë e rrugës së Arbrit, por ashtu si segmenti tjetër Tiranë – Klos nuk ka përfunduar ende, ndonëse lejohet qarkullimi i automjeteve në të, ka probleme të theksuara me sinjalistikën rrugore.