
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se qytetarët dibranë dhe jo vetëm nuk duhet të lejojnë që të jetësohet projekti për Skavicën në këtë zonë.
Në një komunikim online me qytetarët, Berisha theksoi se Rama tenton të zhdukë nga harta e vendit 40 fshatra të Dibrës së Poshtme, ndaj edhe sipas tij duhet mobilizim popullor.
Berisha thotë se ky projekt është i Enver Hoxhës dhe sipas tij po vihet në jetë nga pasardhësi i tij Edi Rama.
Institucionet në këtë vend janë në dorë të një njeri. Shqipëria është diktaturë e një partie. Çdo pushtet në këtë vend është apo buron nga Partia Socialiste. Kjo ide është për fat të keq fiktive. Kundërshtimi është popullor. Qytetarët e Dibrës dhe mbarë Shqipërisë s’duhet të lejojë Edi Ramën që të zhdukë nga harta e vendit rreth 40 fshatra, pjesën më pjellore të Dibrës. De-facto asgjësimin e Dibrës së poshtme. Mobilizimi popullor është zgjidhja.
Ndër të tjera, Berisha ka deklaruar se PD do të dorëzojë në Kuvend ligjin për mos parashkrimin për çdo kryeministër që ka qenë në krye të shtetit që pas rrëzimit të komunizmit e deri në vitin 2040.
Sot gjykatat janë një degë e ekzekutivit. Problemi i PD është Rama dhe pa zgjidhur problemin me të nuk zgjidhim dot të tjera, ndaj kemi vendosur që këtë vjeshtë ta kthejmë në pranverën e protestave kungër Ramës. Këto kohë ne do të depozitojmë në Parlament ligjin me të cilin nuk do të njihet parashkrimi për asnjë kryeministër nga 1992 deri në 2040. Me këtë ligj ju garantoj se nuk do të shpëtojë nga verdikti i drejtësisë, jo kjo drejtësi që është vegël e verbër në duart e PS e cila pikërisht se është e tillë rezulton para një jave, insitucioni më i korruptuar i Shqipërisë, një drejtësi që do të zbatojë ligjin e do të japë ndëshkime të merituara. Ndaj si Inceneratorët e çdo aferë tjetër si Butrinti apo Porti i Durrësit do të marrin përgjigjen e merituar.