Pas asfaltimit të segmentit nga Maqellara deri në doganën e Bllatës, firma që ka me nënkonçension këtë segment të rrugës së Arbrit ka nisur hedhjen e shtresës asfaltike në Gjoricë të Poshtme. Mjetet e firmës po punojnë prej ditësh në hedhje të asfaltit në këtë pjesë të rrugës së Arbrit. Puna ka nisur nga rreth-rrotullimi në afërsi të Urës së Çerenecit e po vijon drejt Bllatës. Të parët që përfitojnë nga asfaltimi i kësaj rruge janë vbanorët e fshatit Gjoricë e Poshtme.

Ata tashmë kanë një distancë më të shkurtër me Peshkopinë apo me Bulqizën. Me ndërtimin e polotë të kësaj vepre shumë të rëndësishme rrugore për verilindjen, distanca me kryeqytetin shkurtohet në më pak se 1 orë e 30 minuta. Por banorët kërkojnë që të ndërtohen edhe kalimet nga njëra anë në tjetrën. Ata shprehen se nëse nuk ndërtohen nënkalime apo mbikalime, do të ketë pasoja në humbje jete njerëzish.

Ky është i vetmi segment që po punohet në zonën e Bulqizës dhe Dibrës, ndërsa puna më e madhe është përqendruar në lotin nga ura e Vashës deri në fshatin Bastar të Tiranës ku po ndërtohen ura e tunele.