Ndonëse rruga e Arbrit pritet të jetë një shtysë zhvillimi ekonomik në Xibër për shkak se shkurton ndjeshëm distancën me Tiranën apo Klosin, ajo ka sjellë edhe problemet e saja. Banorët e fshatrave Shkallë e Xibër – Murrize kërkojnë që në rrugë të krijohet një hapsirë e dedikuar për këmbësorët pasi po ju rrezikohet jeta nga automjetet që lëvizin në këtë aks rrugor. Në dy fshatrat ku kjo rrugë kalon përmes, banorët e sidomos nxënësit që frekuentojnë shkollën e Mesme të Bashkuar Xibër po rrezikojnë jetën teksa ju duhet të lëvizin në të njëjtën hapsirë me makinat. Duke qenë se këto dy fshatra janë zona të banuara në të dy anët e rrugës, banorët kërkojnë që të ndërtohen nënkalime dhe hapsira të dedikuara anash rrugës të mbrojtura me barriera.
Banorët kërkojnë që këto kërkesa të plotësohen sa ende kjo rrugë është kantier ndërtimi. Ditët e fundit firma që po ndërton rrugën e Arbrit ka mbushur me asfalt disa nga pjesët e dëmtuara, ndërsa këtë e ka bërë nga Qafa e Murrizes deri tek tunelet në fshatin Shkallë të Xibrit.