Rruga Burrel – Skuraj, shembje skarpate e dëmtim të asfaltit
Reshjet e fundit të shiut kanë rikthyer problemet në rrugën nacionale Burrel – Skuraj. Në shumë segmente ka rrëshqitje të dherave e në disa zona ka prani të madhe të ujit për shkak të mungesës së kanaleve kulluese anësore. Ndërkohë në afërsi të urës së Ulzës, ka rëshqitje të dherave nga shpati i malit. Në këtë pikë të rrugës nacionale vazhdimisht ka patur problematika të tilla për shkak të mungesës së rrjetës pritëse apo mureve mbrojtëse. Ndërkohë në afërsi të tunelit të vogël ka shembje të anës së poshtme të rrugës. Mbrojtëset metalike anësore kanë mbetur në ajër, ndërsa shembja vijon për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut. Drejtuesit e mjeteve këshillohet të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit në këtë aks rrugor pasi herë pas here ka edhe shembje të gurëve kryesisht në segmentin e Shkopetit. Ky aks rrugor nacional vijon të mbetet ndër më të degraduarit në vendin tonë për shkak të mungesës së investimeve të plota. Rruga në fjalë është dhënë vetëm për mirëmbajtje, ndërsa kompania kujdeset vetëm për prerjen e bimësisë anësore dhe jo në investime të mirëfillta. Në të gjithë aksin ka edhe deformime të rrugës që janë kthyer në burim aksidentesh sidomos për ata që qarkullojnë për herë të parë në të.