Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot se respektimi i rregullave është thelbësor në këtë fazë të pandemisë kur po vërehet transmetim i infeksionit nga vatra të kontrolluara në transmetim komunitar.

Brataj u shpreh se “jetojmë në një moment të vështirë të pandemisë”. “Sot nuk dua të hyj në shifra apo përqindje thjesht të ndajë shqetësimin me ju. Pa hyrë në analiza apo polemika, pa gjetur fajtorë siç e kemi zakon në Shqipëri, pa gjykuar doja të thoja se po vërehen tre dukuri në sfidën ndaj Sars-Cov2 që shkakton sëmundjen e COVID-19”, tha Brataj.

Sipas tij, po ndodh shtimi i rasteve në përgjithësi, shtimi i të sëmurëve, dhe prekja e moshave të reja që deri dje ishin të paprekura.

Brataj tha se “ajo që më shqetëson më shumë është rritja e numrit të pacientëve si në banesë, po ashtu edhe në spital”.

“Kalimi i infeksionit nga vatra të kontrolluara në transmetim komunitar. Në këtë fazë të pandemisë a mund të bëjmë ne diçka më shumë për të parandaluar apo për të përmirësuar situatën e këtij infeksioni? Po. A kemi nevojë për masa drastike izolimi? Jo”, tha Brataj.

Duke folur për mënyrën më të mirë për të vepruar në këtë moment, Brataj nënvizoi respektimin e rregullave.

“Patjetër që varet nga ne, thjesht të respektojmë disa rregulla të thjeshta. Domosdoshmëri është përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, ndoshta është momenti që të ngremë zërin kur shikojmë persona të tjerë brenda këtyre ambienteve pa maska. Ruajtja e distancës 1,5-2 metra në këto ambiente. Dezinfektimi i duarve në hyrje të çdo ambienti të mbyllur pa përdorur doreza”, tha ai.

Po ashtu, Brataj nënvizoi karantinimin dhe distancimin fizik për të gjithë ata që rezultojnë të infektuar.

“Nëse ke pasur kontakt me persona të infektuar dhe shfaqen shenja e simptoma konsideroje veten si të infektuar. Mos përdor maska në ambient të hapur nëse nuk je prekur nga infeksioni. Mos përdor doreza në ambient të hapur”, këshilloi Brataj.