Rehabilitohet rruga e Krastës pas gropave të mëdha të krijuara në ditët me shi

0

Kompania mirëmbajtëse e rrugës Qafbualli – Krastë ka bërë rehabilitimin e këtij aksi me një gjatësi prej 16 kilometrash. Kjo rrugë e cila ju shërben mijëra banorëve të njësisë Administrative Martanesh dhe subjekteve minerare që operojnë në atë zonë ishte kthyer në një gangrenë prej kohësh. Shkak ishin bërë gropat e mëdha të krijuara në rrugë si pasojë e vërshimit të ujërave të shiut. Temperaturat e ulta të pak ditëve më parë kanë penguar shtrimin me shavor të kësaj rruge, ndërsa kjo është bërë dy ditët e fundit. Siç duket edhe nga pamjet, aksi i është nënshtruar një nivelimi dhe shtrimi me zhavor. Kjo llojë ndërhyrjeje do të përmirësojë përkohësisht qarkullimin e automjeteve, por kjo gjendje mund të mos zgjasë shumë. Drejtuesit e automjeteve të tonazhit të rëndë shprehen se momentalisht rruga është e mirë, por zgjidhja e vetme dhe afatgjatë është shtrimi me asfalt.

Rruga e Krastës vijon të jetë problematike ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar që e ka në inventar, financon vetëm mirëmbajtje, duke mos e zgjidhur përfundimisht gangrenën e krijuar prej vitesh.