
Rahim Spahiu është kryetari i ri i Bashkisë së Dibrës. Kandidati socialist korri një fitore të thellë në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, teksa përballë tij ishin Luan Haka i Partisë Demokratike dhe Premtim Kryemadhi i lëvizjes s ëish-Kryeministrit Berisha dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Disa ditë më parë, teksa ishte në një takim me mbështetësit e tij, kryebashkiaku Spahiu deklaroi se prioritet i punës së tij do të jetë pikërisht përfundimi i projektit aq shumë të dashur për dibranët, Rruga e Arbrit, ndërsa premtonte gjithashtu edhe më shumë zhvillim ekonomik të zonës, duke u fokusuar kryesisht tek sektori bujqësor.
Një nga problematikat me të cilat pritet të përballët Spahiu në zonën e Dibrës, është pikërisht infrastruktura e dëmtuar në disa zona të qarkut, gjë për të cilën me rastin e 7 Marsit, Festën e Mësuesit, Spahiu premtoi se do të investohet dhe do të bëhet gjithçka për ta përmirësuar.
Një tjetër problematikë lidhet me rikonstruksionin e Pallatit të Sportit dhe premtimi i parë i Rahim Spahiut është edhe rikonstruksioni i këtij pallati.
Spahiu ka kryer studimet e larta pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, ndërsa prej vitesh Rahim Spahiu punon si drejtor i një banke të rëndësishme në vend. Ka hapur dhe drejtuar disa degë të kësaj banke në Tiranë. Spahiu është me origjinë nga Dibra dhe banon në Tiranë.
Deri në vitet 2000 ai ka punuar në një bankë private në qytetin e Peshkopisë dhe ka pasur njohje e marrëdhënie mjaft të mira me banorët e kësaj zone.