
Që prej lindjes së princeshë Geraldinës, e deri më sot mami Elia dhe babi Leka janë kujdesur që të shijojnë të qetë këtë periudhë të bekuar në jetën e tyre, larg vëmendjes së rrjeteve sociale dhe medieve rozë.
Ndërkohë princ Leka ka dhënë së fundmi një intervistë për një revistë franceze, në të cilën ka folur më shumë për vogëlushen. Ai ka treguar se me Elian kanë ndjekur traditën shqiptare, sipas së cilës nëna dhe bebja qëndrojnë disi të izoluar në 40 ditët e para pas lindjes dhe më pas takohen me të afërmit, por Leka është shprehur se tashmë familjarët janë njohur me vogëlushen.
“Është një fëmijë i qetë, ushqehet mirë dhe na dhuron shumë shpesh buzëqeshje të bukura. Mezi po i presim qeshjet e saj të para”, është shprehur princ Leka.
Ai ka treguar se e vogla ka marrë shumë dhurata për festa, mes tyre edhe një pjesë muzikore për piano, kompozuar nga një muzikant spanjoll. Princ Leka ka zbuluar se Geraldine ka krijuar një lidhje shumë të ngushtë me mami Elian dhe se ia njeh tashmë zërin.