Përmirësohet moti, ndalen reshjet në Qarkun Dibër

0

  Janë ndërprerë reshjet e shiut dhe të dëborës në të gjithë Qarkun Dibër. Që prej orëve të para të ditës së sotme, reshjet e borës që patën përfshirë zonën deri në lartësinë mbi 700 metra mbi nivelin e detit dhe ato të shiut që përfshinë zonat më të ulta janë ndërprerë. Kësisoj, nuk shënohen probleme në qarkullimin e automjeteve si pasojë e pranisë së dëborës.

Sipas Shtabit të Mbrojtjes Civile, në Qarkun Dibër nuk ka asnjë zonë të izoluar nga dëbora. Problemi i vetëm deri tani vijon të mbetet rruga lidhëse mes Lurës dhe qytetit të Peshkopisë, kjo për shkak të trashësisë së dëborës. Ndërkohë, banorët e Lurës komunikojnë nëpërmjet Rrëshenit.

Akset kombëtare janë të kalueshme paprobleme, si ai Peshkopi – Klos – Burrel, Klos – Tiranë nëpërmjet rrugës së Arbrit dhe Peshkopi – Kukës.

Herë pas here ka patur ndërprerje të energjisë elektrike. Në zonat e thella malore të Dibrës kjo ka ardhur si rezultat i dëborës, ndërsa grupet e OSHEE vijojnë punën në terren për të rregulluar çdo avari të shfaqur gjatë këtyre ditëve me mot të keq.

Sakaq, sinoptikanët parashikojnë që në orët në vijim pritet të ketë temperatura disa gradë nën zero, ndërsa nuk do të ketë reshje, të paktën për 48 orët e ardhshme.