Rekamë

Rritja e masave të sigurisë ndaj Covid-19 për shmangien e grumbullimeve të qytetarëve ka bërë që institucionet publike të marrin një sërë masash për reduktimin e kontakteve masive mes njerëzve. Posta shqiptare ka mbyllur të gjitha zyrat për tërheqjen e pensioneve në të gjithë Qarkun Dibër. Nga kjo e Enjte të gjithë pensionistët do ta presin pensionin në shtëpi i cili do të dërgohet nga punonjësit e postës. Mjafton që të moshuarit të lënë një adresë të saktë, numrin e kartës së identitetit dhe numrin e telefonit në kutinë postare të çdo filiali dhe të shkojnë në shtëpi të presin pensionin. Drejtori i Postës Shqiptare Filiali Mat, Altin Bojni tha se ky shërbim nuk do të ketë asnjë kosto për pensionistin.

Ndërkohë i gjithë personeli i postës shqiptare është i pajisur me masat mbrojtëse kundër koronavirus, si maskë, doreza etj. Po ashtu, është bërë dezinfektimi i të gjitha ambjenteve që ka kjo postë në të gjithë Qarkun Dibër.