Ndërprerjet e energjisë nga moti i keq, Çela: Situata më e rënduar në Burrel. Në terren 2200 punonjës të OSHEE

0

Administratori i OSHEE Adrian Çela ka folur në News24 për situatën në vend të krijuar pas motit të keq me reshje shiu e bore që ka përfshirë vendin. Çela tha se aktualisht situata më e rënduar sa i përket energjisë elektrike dhe ndërprerjeve të saj është në Drejtorinë Rajonale të Burrelit. Ai shpjegoi se janë 12 fidera me defekt, për një numër prej 19 218 abonentësh. Sipas tij, ndërprerjet nuk ndodhin në çdo reshje, por kur ka furtunal.

“Kur kemi reshje të shumta bore dhe kohë të keqe, furtunal. Jemi koshientë që situata në të tilla raste do pasqyrohet dhe me rritje të defekteve. Jo kur ka reshje të shiut normal përveç ditëve të caktuara kur kemi fortunal apo reshje dëbore që impaktojnë linjat e furnizimit të energjisë elektrike sidomos në zonat e thella rurale. Aktualisht kemi në terren 2200 punonjës, në gatishmëri 24 orë.

Situata ka ardhur drejt përmirësimit. Në momentet që flasim nga 1200 fidera janë vetëm 12 fidera ende me defekt. 19218 abonentë janë pa energji elektrike në këto momente. 322 janë në zonat urbane.
Situata më e agravuar në Drejtorinë Rajonale Burrel, për terrenin e vështirë që ka kjo zonë. Ka reshje bore dhe punonjësit e OSHEE po punojnë në kushte ekstreme të motit për t’iu kthyer energjinë banorëve”, tha Çela.

Lidhur me rastin e Dervicianit, ku pas përfshirjes së banesës nga flakët humbi jetën një 12-vjeçare, kreu i OSHEE deklaroi se abuzohet me këtë rast.

“Një rast ekstrem dhe shumë tragjik. Më vjen keq që abuzohet me këtë rast. Kam dëgjuar dhe histori ra ashensori e ka fajin OSHEE. Defektet ne jemi dëshmitarë, jo vetëm në Shqipëri ne pamë si një javë më parë qytete në Europë ngelën në errësirë ekstreme. Ne nuk themi që kemi rrjetin më modern, kemi investuar, por për të investuar në rrjetin elektrik shqiptar duhen 30 vite. Gjatë natës për arsye teknike në shumë defekte është e pamundur ndërhyrja për shkak të rrezikut për punonjësit. Ne kemi pasur dhe raste të humbjes së jetës. Në shumë raste bëjmë dhe stakime për arsye sigurie, ku ka rritje të nivelit të ujit, për të mos pasur dëme më të mëdha kemi raste që i stakojmë, për të ruajtur jetën dhe pajisjet”, tha ai.