Na ka hy aroma brenda nshpi” Maqellara kthehet në kantier mbeturinash, banorët ankohen

0

Fshati Maqellarë i Dibrës nuk po gjen dot rehati nga mbeturinat e konsumit të përditshëm. Situatë problematike mbetet rruga e vjetër e Maqellarës që e lidh atë me Peshkopinë. Në këtë vend, depozitohen mbeturina të mëdha gjatë ditës, por më e keqja është se aty hidhet gjithçka, deri tek kafshët e ngordhura. Banorët që jetojnë aty përreth thonë se po infektohen nga këto mbeturina, të cilat shpeshherë digjen duke shkaktuar një ndotje të madhe. Nga ana tjetër, ata kërkojnë që bashkia të ndërhyjë dhe ta zgjidhë përfundimisht këtë problem, pasi depozitimi i mbeturinave aty është një burim i madh infeksioni. Banorët e Maqellarës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve vendore për vendosjen e koshave të mbeturinave, stogu i të cilave ka arritur deri në rrugën e makinave. Por situatë problematike është në hyrje të Maqellarës në zonën më të madhe të banuar në Dibër pas qytetit të Peshkopisë. Ndonëse këtu ka kontenier mbeturinash, banorët thonë se ato tërhiqen shumë rralë, duke u shpërndarë në rrugë e kudo nga era apo qentë. Duke qenë se Maqellara është njësia më e madhe administrative e Bashkisë Dibër dhe e gjendur në rrugën nacionale Bulqizë – Peshkopi, autoritetet vendore duhet ta kenë më shumë prioritet.