Në 10 vitet e fundit numri i krerëve të bagëtisë së imtë në zonat rurale në Mat ka ardhur drejt rënies së theksuar. Shkaqet janë nga më të ndryshmet, ndërsa specialistët e lidhin këtë me disa faktorë. Izet Bala, Inspektor Veterinar në Bashkinë e Klosit thotë se arsyeja kryesore është largimi i të rinjve. Sipas tij, mosha madhore apo ajo e tretë është e pamundur për të mbarështuar në numër të madh bagëtinë e imtë apo gjedhët. Një tjetër faktor ndikues sipas Balës është edhe rritja e kostos së proceseve të ndryshme në bujqësi, pasi qoftë të imtat apo gjedhët kërkojnë bazë ushqimore e banorët e zonave rurale po kultivojnë çdo vit e më pak jonxhë.
Rënia e ndjeshme e numrit të bagëtisë së imtë në zonat rurale vihet re kudo. Në të gjithë Matin janë shumë pak tufa bagëtish, ndërsa pjesa më e madhe e familjeve që jetojnë në fshatra, kanë shumë pak krerë të imta, sa për nevojat e tyre.