Lehtësimi i masave për koronavirusin, paralajmërimi i OBSH-së

0

Zyra Rajonale Evropiane e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë një paralajmërim për heqjen e përshpejtuar të masave mbrojtëse për Coronën në Evropë. “Megjithë “sinjalet pozitive” nga disa vende, është ende shumë herët për të folur për suksese“, tha drejtori rajonal i OBSH-së, Hans Kluge. “Kjo nuk është koha për zbutjen e masave”. Në vend të kësaj duhet të “dyfishohen dhe trefishohen” përpjekjet për të kufizimin e virusit.

Kluge tha në konferencën e tij javore për shtyp se në lidhje me krizën e Coronës situata në Evropë është ende “shumë shqetësuese”. Ai bëri thirrje që masat të përforcohen në tri fusha: mbrojtjen e punonjësve të shëndetësisë, ndarjen e njerëzve të shëndetshëm prej atyre që dyshohet se jane infektuar dhe komunikimin me popullatën. Për këtë duhet që shtetet të bashkëpunojnë edhe më afër: “Një vend nuk mund ta luftojë ose ta ndalojë i vetëm Covid-19” – tha ai.

Gjermania, Austria, Norvegjia dhe Danimarka kanë njoftuar se do të lehtësojnë gradualisht masat kufizuese që kishin marrë për të frenuar pandeminë e virusit Corona.