Rekamë

Nga nesër qytetarët mund të riaplikojnë për pasaporta me procedurë të thjeshtuar, pa formular policie. Kjo është një risi që do të kursejë kohë e shpenzime për shtetasit shqiptarë që tashmë e kanë shumë më të thjeshtë procedurën e ri pajisjes me dokumente biometrike.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë një prononcimi për mediet sot ka theksuar se “qytetarët që kanë nevojë të riaplikojnë për pasaporta udhëtimi, tashmë nuk kanë nevojë të shpenzojnë kohë pranë policisë për të plotësuar formularë, por mund të paraqiten menjëherë pranë zyrave të aplikimit”.

Ministri Lleshaj u shpreh se Ministria e Brendshme ofron tashmë një gamë të gjerë shërbimesh online dhe se këtë angazhim do ta rrisë e thellojë edhe në të ardhmen. Ministri përmendi gjatë këtij prononcimi edhe faktin që shtetasit që kanë mbushur moshën 75 vjeç marrin karta identiteti pa afat skadence. Ndërkohë ai bëri thirrje për të gjithë shtetasit që u ka skaduar ose që do t’u skadojë karta e identitetit, gjatë këtij viti, të aplikojnë në kohë për t’u ripajisur me këtë dokument shumë të rëndësishëm përmes të cilit merret çdo shërbim tjetër pranë zyrave të administratës shtetërore.