Kreshnik Çollaku: Vendimi i Kryesisë së “Rithemelimit”, provokim i rëndë! Mbajtja e primareve me jo anëtarë të PD, e rrezikshme

0

Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku, takimin mes Edi Palokës dhe Gazmend Bardhit, e sheh me një lloj optimizmi, bazuar në një bisedë të shkurtër telefonike që thotë se pati me Bardhin.

Në një lidhje skype me studion e lajmeve të MCN TV, Çollaku deklaroi se nga biseda e shkurtër që pati me Gazmend Bardhin ndjeu një lloj optimizmi se kishin ndarë me zotin Paloka të njëjtin shqetësim dhe mundësi për zgjidhje.

Por ai shprehu çudi që më pak se një orë nga mbarimi i këtij takimi, pa një mbledhje të Kryesisë së “Rithemelimit” të Sali Berishës, i cili gjithashtu shpalli një dokument, me datat dhe modalitetet e një procesi primaresh pak të çuditshëm sipas tij, me jo anëtarë të Partisë Demokratike.

Çollaku deklaroi se nxitimi për të thirrur një mbledhje të Kryesisë së Rithemelimit dhe për të vendosur gjithçka që duhet të ishte produkt bashkëpunimi i bazës së partisë, i duket provokim i rëndë.

Ky dokument më ngjan provë e faktit të kryer dhe shkon non sens me atë që duam të arrijmë. Nëse duam bashkëpunim nuk mund të shkojmë me një rrugë të njëanshme, gati gati nënshtruese.

Pse u takua Paloka me Bardhin, nëse e kishin ndarë mendjen që të dilnin me dokumente të tilla. Nuk do isha në favor të primareve me jo anëtarë të PD. Do isha në favor të primareve me anëtarësinë e PD.

Nuk e kuptoj frymën dhe aktin që pa kaluar një orë nga takimi, të kryhen takime të tilla të njëanshme dhe provokuese që e bën zero atë tendencë bashkëpunimi.

Nuk dimë ende se çfarë u diskutua, ndërkohë që një vendim i tillë bëhet fakt i kryer nga zoti Berisha. Nëse duam të shkojmë drejt bashkëpunimit, duhet të jetë më i sinqertë, ndryshe do e quaja sabotim.

Ose do shkojmë të sinqertë, ose nëse njëra palë del e bindur se do dalë e vetme: suksese shikoni rrugën.

Unë si individ jam që të shkojmë me një kandidat të vetëm, ky nxitimi për t’i bërë sot, nesër, ndërkohë që nuk dimë se çfarë është diskutuar, më duket provokativ.

Presupozohet që ne të biem dakord, që të mos diktojmë rregullat e lojës poshtë në bazë, por të gjejnë ata një emër ta sjellin në Tiranë dhe ne pavarësisht logove dhe zyrave, ta zgjedhim.

Pres të na bëjë një sqarim më të plotë zoti Bardhi në një takim sot pasdite me deputetët. Ajo që është e papranueshme, është primare me jo anëtarë të Partisë Demokratike.

Mund të vijnë anëtarët e LSI, mund të infiltrohen patronazhistët e Ramës. Kjo do të thotë se pilotohet njëri apo tjetri kandidat.

Rruga për t’i bashkuar demokratët është t’i çosh në primaret me anëtarët e PD.

Rruga për të marrë anëtarë të LSI, republikanëve etj., apo mundësinë që të infiltrojë Rama patronazhistë, është për të vazhduar konfliktin.

Nxitimi për ta shpallur vendimin, më lë shije të keqe dhe jashtëzakonisht trishtuese. Më ngjan si mënyrë për të imponuar një zgjidhje.

Nuk jam dakord që të votojnë socialistët, që nesër na shpallen si simpatizantë të PD.

Çollaku përsëriti idenë që anëtarët e PD-së të japin emrin e kandidatëve për zgjedhje, dhe mbi këtë bazë dilet me një kandidat në zgjedhje, ndërsa shtoi se në të kundërt ky është dështim i këtij projekti.

S’më shqetëson nëse do jetë Noka apo Bardhi sekretar i përgjithshëm i PD-së, por dua që demokratëve të mos u humbin bashkitë.

Nuk është lojë për t’ia hedhur njeri-tjetrit se në fund do rrëzohen demokratët. Ky veprim i sotëm është mur shumë i madh që i vihet procesit të bashkëpunimit.

Nëse mbytemi në ambiciet tona dhe egoizmin tonë, i bëjmë dëm jashtëzakonisht të madh bashkimit të demokratëve.