Pas afro 2 javësh nga nisja e helmimit masiv të më shumë se 140 qytetarëve të lagjes së vjetër në Bulqizë, ka reaguar edhe Kryetari i Bashkisë Bulqizë Melaim Damzi. Ky i fundit thotë se duhet pritur të dalin analizat përfundimtare për të parë se kush ishte shkaktari i atij helmimi masiv. Megjithëse sipas tij bashkia ka punuar fort për sigurinë e qytetarëve, do të jenë organet përgjegjëse që do të nxjerrin saktë se kush ishte shkaktari.
Nga ana tjetër, Damzi tha se qytetarëve iu janë ofruar alternativa të tjera për furnizmin me ujë të pijshëm deri në daljen e analizave përfundimtare. Sipas tij, janë çezmet publike dhe rrjeti i ujësjellësit të FushëHutër.
Me 4 Maj në lagjen e vjetër të Bulqizës u helmuan disa qytetar të cilët përfunduan në spital me dhimbje barku dhe diarre. Ndërkohë, ende nuk është zyrtarizuar shkaku nga u helmuan më shumë se 140 persona. Po ashtu, qytetarëve vijon tju jetë ndaluar konsumimi i ujit të rrjetit që vjen nga zona D e minjerës së Bulqizës.