
Fermerët e prodhimit të qershisë, në Dibër e më gjerë, po përballen me mungesë të theksuar të prodhimit këtë sezon. Thuajse të gjithë fermerët janë dëmtuar nga moti i keq i fillimit të muajit Prill të këtij viti. Bilbil Kryemadhi, nga fshati Grevë i Dibrës, thotë se aktualisht dëmi përllogaritet në rreth 20 milionë lekë të vjetra. Të gjitha qershitë janë dëmtuar nga ngrica duke mos prodhuar asgjë. Fermeri Kryemadhi thotë se për dëmin e shkaktuar nuk është interesuar asnjë instancë shtetërore, por janë paraqitur vetëm për të kërkuar votat në zgjedhjet e 11 Majit. Fermeri Bilbil Kryemadhi thotë se të huajt çuditen se si ka mundësi që në vendin tonë, kur dëmtohet fermeri nuk marrin asnjë dëmshpërblim nga shteti.
Të njëjtin fat ka patur edhe molla këtë vit. Fermeri Kryemadhi shprehet se as molla nuk do të ketë prodhim, duke bërë që dëmi ekonomik të rritet akoma më shumë.
Fakti i mosprezencës së tregtarëve që shesin qershi në rrugë tregon qartë që këtë vit prodhimi i qershisë në Dibër, është zero.