
Kreu i grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, është përfshirë në një debat me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, pasi ky i fundit foli për të përndjekurit politikë dhe dëmshpërblimin që ata marrin.
Alibeaj tha se Manja i përmend të përndjekurit politikë vetëm për formë, teksa e sfidoi ministin që të mbështesë ligjin për dekomunistizimin.
Nga ana tjetër, Manja tha se qeveria shqiptare është e vetmja që u ka dhënë mundësi shqiptarëve të njihen me të kaluarën e tyre, teksa kërkoi nga Alibeaj që të largojë nga Grupi Parlamentar anti-amerikanin dhe sovjetikun e fundit, duke iu referuar Sali Berishës.
Debati:
Enkelejd Alibeaj: Ulsi, unë dua të falenderoj për faktin që ti qoftë edhe për formë, i përmend të përndjekurit politikë. Por që të jesh i sinqertë deri në fund, për Havzi Nelën, një qëndrim ti? Për kolegun tuaj që para disa muajsh në Whatsapp-in e grupit i bënte ‘osana’ Enver Hoxhës, ti s’mbajte ndonjë qëndrim, dhe ëprsa i përket dëmshpërblimit, ishte mizerabiliteti i vetëm 1 miliard lekëve. Ligjin për dekomunistizimin, ke ti këllqe dhe kurajo politike për ta mbështetur? Kjo tregon sesa të pikon në zemër për ta. Je i vetmi nga këta që ti e merr guximin për ta thënë publikisht, por çoje sinqeritetin deri në fund.
Ulsi Manja: Zoti Alibeaj, unë kam qëndrime për të gjithë çështjet e debatueshme në opinionin publik dhe qëndrimet e mia i kam bërë të qartë që kur kam hyrë në politikë. Nuk është momenti i duhur për të thënë kush është më anti-komunist. Ka rëndësi qëndrimi në raport me të kaluarën. Jam shumë krenar që me votën time, kjo mazhorancë ka votuar ligjin mbi Autoritetin e Dosjeve. Jemi ne që u dhamë shqiptarëve mundësinë që të njihen me të kaluarën e tyre. Kemi filluar punën që njerëzve të pagjetur, familjarëve të tyre t’u japim një varr. Këtë e kemi bërë ne zoti Alibeaj, jo ju. Qëndrimi im është i qartë, unë jam distancuar me kohë nga regjimi komunist, ndërsa ju keni komunistin më të egër brenda Grupit Parlamentar. Ju akoma mbani një sovjetik, një anti-amerikan i deklaruar. Merrni njëherë dhe mblidhuni për qëndrimin që do mbani me sovjetikun e fundit në këtë sallë, pastaj ejani dhe na kërkoni qëndrimet tona.