
Skuadra e Burrelit do të presë të shtunën në ndeshjen e radhës skuadrën e Besëlidhjes. Matjanët do ta luajnë këtë përballje ndoshta jo me moralin e lartë pas humbjes së pësuar javën e kaluar ku u mundën nga Besa e Kavajës me rezultatin 3 me1. Duke analizuar ecurinë e deritanishme, trajneri i ekipit të Burrelit, Alert Alcani tha se ende nuk është gjetur një shkak konkret për rezultatet e 4 ndeshjeve të fazës së dytë. Sipas tij, mund të jetë euforizimi i fundit të fazës së parë, por kërkoi nga të tijët që në fushën e lojës të futen si ushtarë e të dalin si general, prat ë marrin tri pikë. Megjithatë, Alcani shtoi se gjatë gjithë javës është punuar fort edhe me anën psikologjike, pasi ka shumë rëndësi kjo në fushën e gjelbërt. Sa i përket Besëlidhjes, tekniku matjan shtoi se është vlerësuar maksimalisht si një sfidë shumë e vështirë, por që beson që do ta fitojnë.
Nga ana tjetër, Alcani ju kërkoi tifozërisë që ta mbështesin sa më shumë skuadrën për t’i dhënë forcë në fushën e gjelbërt. Ndeshja mes Burrelit dhe Besëlidhjes do të luhet nesër në orën 14:00 në stadiumin “Liri Ballabani”.