
Pikat agroturistike që po shtohen hap pas hapi, me prodhimeve bio, të ndërthurura me natyrën plot peizazhe piktoreske, llixhave e mikpritjes tradicionale, Parku i Madh ndërkufitar Korab-Koritnik me status të veçantë, Rruga e Arbërit, e vendosin Dibrën në zonat turistike që po merr pak nga pak formën e kopshtit të gjelbër të Tiranës.
Gjatë një bashkëbisedimi me operatorë turistik mbi zhvillimin e turizmit në Dibër, zv. kryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, “Dibra këtë vit është shembulli më i mirë i zhvillimit të turizmit”.
“Padyshim mikpritja, ngritja e bujtinave dhe mbështetja e vazhdueshme e AZHBR-së me fondet e qeverisë janë një incentivë shumë e mirë për turizmin”, u shpreh Balluku, teksa vuri në dukje rëndësinë e diversifikimit të ofertës turistike që do të zhvillojë edhe më shumë ekonominë lokale në Dibër.
“Është e rëndësishme që kur ti arrin në atë vend, ke nevojë edhe për disa gjëra, se përndryshe ti mund të rrish vetëm një natë, deguston kulinarinë e zonës dhe largohesh, por kur ne kemi guida të organizuara, paketa turistike të organizuara sigurisht dhe numri i netëve të qëndrimit do të zgjatet duke i bërë këto zona rurale që të jenë një atraksion i veçantë për shqiptarët dhe turistët e huaj”, deklaroi Balluku.
Balluku tha se, Dibra është bërë tashmë e njohur edhe nga alpinistët për shtigjet që ka.
Sipas saj, 26 mijë turistë kanë vizituar bashkinë e Dibrës dhe 30 mijë turistë shënohen si vizitorë në llixhat e Dibrës, duke e çuar në mbi 55 mijë numrin e vizitorëve që kanë frekuentuar Dibrën deri më tani.
“Ndërsa vetëm nga pika kufitare e Blladës kemi 75 mijë vizitorë me pasaportë të huaj”, tha Balluku.