Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha sot se ekspertet e Komitetit Teknik janë duke e monitoruar çdo ditë ecurinë e situatës epidemiologjike dhe bazuar mbi të dhënat do të merren dhe vendimet nëse do të hiqen përfundimisht masat kufizuese apo do ketë lehtësim të tyre.

“Por është herët për të shpallur fitoren ndaj virusit dhe të marrim vendime bazuar në situatë dhe indikatorët, qoftë infektimeve, qoftë shtrimeve qoftë dhe humbjeve të jetës”, theksoi Manastirliu.

Aktualisht situata në vend është me mbi 18 mijë raste aktive që janë në masën 98% me variantin e ri Omicron dhe situata në spitale është e qëndrueshme, raportoi ministrja.

Pyetje: Disa vende të Evropës janë duke zbutur apo hequr masat, a është Shqipëria e gatshme të heq masat kufizuese përfundimisht?

Manastirliu: Masat në Shqipëri konsiderohen të intensitetit të ulët e mesatar, janë masa elastike, situata po vlerësohet në mënyrë dinamike.

Aktualisht është një situatë që na bën të jemi shumë të kujdesshëm në ato hapa që do marrim sa i përket lehtësimit të masave.

Sot jemi mbi 18 mijë raste aktive që janë në masën 98% me variantin e ri Omicron dhe situata në spitale e qëndrueshme.

Jemi duke e monitoruar çdo ditë ecurinë e situatës e bazuar mbi të do të merren dhe vendimet, por është herët për të shpallur fitoren ndaj virusit dhe të marrim vendime bazuar në situatë dhe indikatorët, qoftë infektimeve, qoftë shtrimeve qoftë dhe humbjeve të jetës.