Kuvendi i Kosovës, ka votuar tashmë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me 82 vota për 32 kundër dhe një abstenim. Mocioni ishte ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë. Aktualisht qeveria është e dorëhequr, por në detyrë.
Rrëzimi i Qeverisë së Kosovës me mocionin e mosbesimit në Kuvend dikton nevojën e formimit të qeverisë së re, zgjedhjeve të reja apo edhe vazhdimit të funksionimit të kësaj qeverie me kompetenca të kufizuara për një kohë, derisa të vazhdojë situata alarmante me COVID-19.
Kuvendi i Kosovës, ka votuar tashmë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me 82 vota për 32 kundër dhe një abstenim. Mocioni ishte ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është pjesë e qeverisë. Aktualisht qeveria është e dorëhequr, por në detyrë.
Njohësi i zhvillimeve politike dhe i funksionimit të Kuvendit të Kosovës, Albert Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se pasi mocioni i mosbesimit ishte i suksesshëm, qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
“Nëse do të jetë qeveri teknike apo shumë-partiake, kjo do të varet nga vullneti i deputetëve, por edhe i presidentit i cili mund të vendosë përmes një dekreti që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Krasniqi.
Në Kushtetutën e Kosovës, neni 100 i saj thotë se nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje. Kurse neni 82 e përcakton se Kuvendi mund të shpërndahet nga presidenti pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.
Aktualisht, Kosova si edhe gjithë bota, po përballen me pandeminë e COVID-19, pas përhapjes së koronavirusit të ri vdekjeprurës. Kështu organizimi i zgjedhjeve, nuk besohet se do të jetë i mundur në rrethanat aktuale.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shkruar në Facebook se LDK nuk do t’i tërheq ministrat e saj nga qeveria dhe se i mbetet kryeministrit Albin Kurti të vendosë nëse do të vazhdojë punën deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas miratimit të mocionit të mosbesimit, presidenti i vendit, do t’i kërkojë partisë fituese të zgjedhjeve të fundit, të 6 tetorit, [në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje] emrin e një mandatari të ri për kryeministër.
Qorolli thekson po ashtu se është edhe mundësia tjetër që të gjitha partitë politike të ulën në një tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje e cila, sipas tij, do ta bindte presidentin për ta votuar apo nominuar një kandidat për kryeministër.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese kërkon që të ketë një konsensus dhe të këtë një mbledhje të përbashkët të të gjitha partive në mënyrë që ta bindin presidentin për një zgjidhje të përbashkët. Por, ai [presidenti ] nuk e përjashton mundësinë që ta nominojë edhe njëherë një kandidat nga partia fituese, do të thotë Vetëvendosje, por jo më Albin Kurtin mandatar”, tha Qorolli.
Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës shkruan se “nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Ky përkufizim, besohet se i jep të drejtën, të paktën herën e parë Vetëvendosjes si parti fituese që të propozojë mandatarin e ri për kryeministër.