
Pak javë më parë Mat Televizion ngriti shqetësimin publik në Bashkinë e Klosit në lidhje me cënimin e kufijëve territorial gjatë zbatimit të VKM 433 e vitit 2016. Ishin rreth 950 hektar pyje e kullota që i cënoheshin Bashkisë së Klosit, kryesisht në masivin pyjor të malit të Balgjajt.
Nisur nga ky shqetësim i ngritur edhe nga banorë të Njësisë Administrative Suç, ne ju drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Klosit, konkretisht kryetarit dhe Sektorit të Pyjeve dhe Mjedisit, në bazë të ligjit 119/2014 për të drejtën e informimit. Kërkesa që mban datën 3 Shkurt 2020, mori përgjigjen zyrtare me datë 13 Shkurt, dërguar nga koordinatori për të drejtën e informimit në Bashkinë e Klosit.
Mat Televizion kërkoi informacion në lidhje me problemin në fjalë dhe se cilat janë rrugët që po ndiqen nga ana e pushtetit vendor në Klos për mbrojtjen e territoreve të tij. Sipas shkresës kthimpërgjigje të dërguar nga Bashkia Klos, rezulton se për problemin në fjalë ka vënë në dijeni Ministrinë e Brendshme, atë të Turizmit dhe Mjedisit si dhe Bashkinë Bulqizë që me datë 17 Janar të këtij viti.
Ndërkohë rezulton se vetëm një ditë më parë, pra 12 Shkurt, 9 ditë pasi Mat Tv dërgoi kërkesën për informacion, Bashkia Klos ka kërkuar nga Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu që të mos konfirmojë, nëse merret, vendimin e Këshillit Bashkiak Dibër për regjistrimin paraprak të pyjeve dhe kullotave. Po ashtu, në të njëjtën ditë i ka kërkuar Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Palujtshme, Bulqizë e Dibër, që të mos nisin procedurat për fillimin e regjistrimit paraprak të pyjeve dhe kullotave për njësitë vendore respektive.
E njëjta gjë i është kërkuar edhe Drejtorisë Vendore të Kadastrës Dibër. Në përgjigje të pyetjes së katërt të parashtruar në kërkesën për infomacion, thuhet se do të ndiqen të gjitha hapat ligjore për të kundërshtuar në rast të mosreflektimit të ndryshimeve të kërkuara, duke qenë se territori në fjalë është pjesë historike e rrethit Mat dhe me ndarjen e bashkive të reja pjesë e Bashkisë Klos. Mat Televizion i është drejtuar edhe Ministrisë së Brendshme zyrtarisht për të marrë informacion në lidhje me këtë problem dhe do të bëhet publik sapo ai të na vihet në dispozicion.