Ankohen banorët e Strikçanit e Sopotit

0

 Banorët e fshatrave Strikçan e Sopot në Bashkinë Bulqizë ankohen për gjendjen e degraduar të rrugëve dhe mungesën e ujit vaditës. Ndonëse një pjesë e rrugës së fshatit Sopot është asfaltuar, segmentet e tjera janë thuajse të pakalueshme. Në të njëjtën gjendje janë edhe rrugët e fshatit Strikçan. Drejtuesit e mjeteve thonë se kalimi në disa rrugë është shumë i vështirë për automjetet e vogëla pasi ka prani të mëdha të gropave si dhe kanaleve të krijuara në mes të rrugës. Ata kërkojnë që tek rrugët e paasfaltuara të ndërhyhet për t’i shtruar të paktën vazhdimisht me zhavor dhe të mirëmbahen kanalet kulluese anësore pasi ra herë ka reshje shiu, uji vërshon përmes rrugës.

Ndërkohë, banorët e Sopotit kanë edhe një tjetër problem që lidhet me sistemin vaditës. Ndonëse fshati ka ujë vaditës, kanalet nuk janë hapur e në këtë mënyrë, një pjesë e tokave bujqësore janë lënë djerr.

Banorët kërkojnë ndërhyrjen e pushtetit vendor që këto probleme të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur.