Bulqizë, 200 ha tokë djerrë në Okshatinë për mungesë rruge

0

  200 hektar tokë bujqësore në fshatin Okshatinë të Bulqizës kanë mbetur djerrë për shkak të mungesës së rrugës. Edhe pse kjo tokë bujqësore ka ujë vaditës pasi ndodhet në breg të lumit Drin i Zi, pronarët që e kanë nuk e punojnë për shkak se nuk ka rrugë për mjetet agregate nga të kalojnë. Banorët shprehen se jo vetëm që nuk mund të shkojnë me mjete bujqësore në këto toka, por as në këmbë nuk munden, pasi nuk lejohen nga pronarët e tokës të cilët i kanë para tokës së tyre. Hamdi Kazhani e Tufik Sula thonë se ky është një problem i vazhdueshëm me të cilin po përballen. Ata shprehen se për këtë problematikë është vënë në dijeni edhe pushteti vendor në Bulqizë, por ky i fundit nuk ka marrë asnjë masë për të hapur rrugën për shfrytëzimin e këtyre tokave bujqësore. Banorët shtojnë gjithashtu se toka është shumë pjellore por nuk mund të shfrytëzohet për mungesë të rrugës për të hyrë mjetet bujqësore.

  Familjet Kazhani dhe Sula kërkojnë që strukturat vendore të ndërhyjnë dhe të zgjidhin këtë problematikë, pasi e konsiderojnë të domosdoshmëri jetike jo vetëm për to, por edhe për të gjithë banorët e fshatit Okshatinë.