U rikthye nga emigrimi për tu marrë me bujqësi në vendin tonë, Adhurim Qorri nga Sopoti i Bulqizës mbetet i zhgënjyer

0

Adhurim Qorri, nga fshati Sopot i Bulqizës, është ndër të paktët emigrantë të rikthyer në këtë zonë për të mos u larguar më në emigracion. Adhurimi i është përkushtuar bujqësisë duke kultivuar zarzavate e produkte të tjera me të cilat mundohet të nxjerrë të ardhura ekonomike për familjen e tij. Problemi më madhor që ai thotë se ka në këtë sipërmarrje është mungesa e tregut të shitjes. Ndonëse prodhimi bujqësor ka qenë i bollshëm edhe vitin e kaluar, bujku Adhurim Qorri thotë se është përballur me burokraci dhe vështirësi për shitjen e tyre.

Familja Qorri është e gjitha e përkushtuar ndaj bujqësisë. Nëna e Adhurimit, Vjollca shprehet se duhet ndihmë nga shteti dhe institucionet vendore në mënyrë që të kenë siguri në shtijen e prodhimit që e bëjnë me shumë mund e sakrifica. Ajo shton se djali i saj la emigracionin vetëm për të punuar në vendin e tij, por mungon mbështetja nga institucionet.

Familja Qorri nga Sopoti i Bulqizës kultivon shumë kultura bujqësore me shumicë si specin, hudhrën, domaten etj., por mungesa e tregut i stepur dhe zhgënjyer njëkohësisht  për vijimësinë e kësaj sipërmarrje.