
Veç investimeve në vepra të mëdha me fonde të qeverisë shqiptare dhe donatorëve, Bashkia Mat po investon paralelisht edhe me buxhetin e saj në sistemimin e hapsirave publike brenda lagjeve të qytetit të Burrelit. Puna po vijon me shtrimin me pllakë të hapsirave brenda pallateve ku aktualisht puna është përqendruar në lagjen “Drita”. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj teksa inspektoi punën në dy blloqe banimi tha se brenda pak kohësh të gjitha blloqet e banimit në këtë qytet do të kenë hapsira të sistemuara qëoftë për të qëndruar e qoftë për të parkuar automjetet. Sipas Malajt, të gjithë këto lagje do të jenë pjesë e investimit tjetër i cili është veshja me sistem kapot i të gjitha pallateve.
Sistemimi i hapsirave publike në lagjet e qytetit të Burrelit ka qenë një punë e vazhdueshme e Bashkisë së Matit nëpërmjet ndërmarrjes së shërbimeve bashkiake. Deri tani ka përfunduar punë në rreth 80% të qytetit dhe mbetet edhe pak që të përfundojë sistemimi i të gjitha hapsirave.