Janë dashur dy vite që Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore e Materiale të hartonte një projekt për “shpëtimin” e një prej veprave më të rëndësishme të periudhës së mbretërisë shqiptare, “Urën e Zogut” në Milot. Që prej Janarit të vitit 2021, kjo urë u dëmtua rëndë në njërën nga këmbët e saj të anës veriore. Në mungesë të ndërhyrjes emergjente, dëmi u rrit këto dy vite, duke rrezikuar shembjen totale të saj. Ndërkohë, më në fund siduket Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore e Materiale ka marrë një vendim për nisjen e ndërhyrjes.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Ministrja e Kulturës Elva Margariti në një status në rrjetin social Facebook.
“Projekti teknik i zbatimit për ndërhyrjen emergjente në objektin-monument kulture, Ura e Matit” është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër, në kuadër të Paktit për Universitetin.
Vetëm pak ditë më parë miratuan gjithashtu projektin e vendosjes së pajisjeve monitoruese, që do të na mundësojnë të dhënat teknike e shkencore për hartimin e projektit të zbatimit.
Miratimi i këtij projekti i hap udhë gjenerimit të fondeve, fillimin e detyrave të projektimit dhe nisjen e ndërhyrjeve integrale për zgjidhjen e problemit në terren, në të gjithë objektin” – thuhet në postimin e Margaritit.
Ura e Zogut është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Ura është projektuar nga një inxhinier italian Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Zbatimi i projektit u bë nga një inxhinier shqiptar, Gjovalin Gjadri, inxhinier që ka projektuar edhe rrugën automobilistike Milot-Burrel.
Dritan Kurti