Rruga e Arbrit, 20 milionë euro shtesë për defektet në tunelin e Murrizit

0
15

Ndërtimi i tunelit të ri të Murrizit do t’i ngarkojë një faturë prej 20 milionë eurosh shtesë kontratës së Rrugës së Arbrit, ndërsa qeveria dhe kompania janë në diskutime se kush duhet të mbajë përgjegjësi për këto kosto. Problemet me tunelin do të shtyjnë edhe përfundimin e rrugës në fund të gushtit, edhe pse sipas kontratës rruga duhet të përfundonte në fillim të marsit.

Autor: Ola Xama

Me bujë, këngë dhe daulle dibranët bashkë me kryeministrin, Edi Rama, inauguruan më 29 nëntor hapjen për qarkullim të Rrugës së Arbrit, por vepra kryesore, që e bën funksionale, tuneli i Murrizit, nuk ka përfunduar.

“Pjesën në Qafën e Murrizit e kemi zgjidhur përmes një by-pass-i 8.8 kilometra, është provizor. Kontrata ka afat dorëzimi fundin e prillit 2022 dhe ne do të bëjmë të pamundurën për të dorëzuar gjithçka në kohën e duhur”, – tha gjatë ceremonisë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

“Një tunel 3.8 km i gjatë, ku ne kemi hasur në shtresa argjilore dhe burime ujore, nëntokësore, të cilat e shkrijnë këtë argjilë”, – justifikoi vonesën e ecurisë së punimeve ministrja Balluku.

Edhe pse kontrata koncesionare “Për Projektimin, Përmirësimin, Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit parashikon ndërtimin e segmentit për 44 muaj, çka korrespondon me datën 4 mars 2022, burime zyrtare thanë se punimet në tunelin e Murrizit kërkojnë më shumë kohë për shkak të pezullimit të tyre për 17 muaj gjatë shembjes së tunelit të parë.

Vetë kompania ka nisur bisedimet për amendimin e kontratës koncesionare, ku do të shtyhet afati për përfundimin e tyre në gusht të këtij viti dhe të vendoset përfundimisht se kush do t`i paguajë kostot shtesë për këtë vepër.

“Me rishikimin e projektit për “Alternativën B, Tuneli i Murrizit-Hyrja Tiranë”, do të jetë e nevojshme koha shtesë deri në përfundimin e plotë me cilësi dhe siguri të tij. Inxhinieri i Pavarur është duke vlerësuar në tërësi komponentët e projektit, nisur nga fakti se rruga u vendos në funksion, duke qenë ende kantier ndërtimi”, – i tha Investigative Network Albania-s Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pas një kërkese për koment.