
Tërmetet e viteve të fundit kanë bërë që ky objekt të bëhet i rrezikshëm për personelin shëndetësor apo pacientët që paraqiten aty. Në këto kushte është vendosur nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor që personeli të mos futet më brenda tij. Riza Demiri një prej banorëve të kësaj njësie administrative thotë se godina dikur ka qenë me shumë shërbime e jo vetëm ato ambulatore. Kjo për shkak se njësia e Xibrit me 6 fshatrat e saj ishte zonë e izoluar dhe me distancë shumë të largët me Burrelin apo Tiranën, çka e bënte shërbimin shëndetësor këtu shumë të rëndësishëm. Por Demiri shton se vitet e fundit, objekti është lënë totalisht në harresë dhe instancat janë mjaftuar me zhvendosjen e shërbimit në një nga kalasat e Shkollës së Mesme të Bashkuar. Në mungesë të hapsirës së nevojshme, aty mund të bëhen vetëm vizita apo të merren rekomandime për tu vizituar në qendrën Shëndetësore Klos dhe spitalin e Burrelit.
Të kontaktuar nga Mat Televizion, drejtues të Njësisë vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat thanë se për këtë problem është vënë në dijeni Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tiranë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Dy vite më parë objekti ishte parashikuar për rikonstruksion, por për shkak të degradimit të madh, specialistët kanë vendosur që rikonstruksioni nuk mund të bëhet, ndaj dhe duhet objekt i ri. Kjo qendër shëndetësor ndodhet shumë pranë rrugës së Arbrit.