Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Institutin e Studimeve të Historisë Ushtarake dhe Shoqatën “Çidhna dhe Kastriotët” organizuan konferencën shkencore “100 vjet nga lufta e Dibrës”.
Akademik Skënder Gjinushi përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi institucionet bashkëpunuese për organizimin e konferencës shkencore “100 vjet nga Lufta e Dibrës”.
Ai tha se kjo konferencë zhvillohet në vijim të veprimtarive të tjera për ngjarje jubilare që lidhen me dekadën e parë të shtetit shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë.
“Kemi përkujtuar e nderuar 100-vjetorin e themelimit të shtetit, 100-vjetorin e krahinës autonome të Korçës, 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjes, 100-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës dhe sot jemi për të vlerësuar e nderuar 100-vjetorin e Luftës së Dibrës. Kjo është dekada gjatë së cilës ndodhi procesi historik i kalimit nga shpallja e Pavarësisë tek njohja dhe rikonfirmimi i saj. Dhe në këtë kontekst Lufta e Vlorës dhe Lufta e Dibrës kanë qenë ngjarje që e bënë pavarësinë të vërtetë, sepse i kthyen shtetit shqiptar sovranitetin në gjithë territorin e tij, penguan copëtimin e vendit dhe vendimet e padrejta për rishikimin e kufijve të Shqipërisë caktuar më 1913. Ashtu siç Lidhja Shqiptare e Prizrenit përgatiti Shpalljen e Pavarësisë, ashtu Lufta e Vlorës dhe ajo e Dibrës vulosën vetë pavarësinë.Lufta e Dibrës qe një luftë popullore, që shfaqi të njëjtat ndjenja e veprime atdhetare si dibranët që kishte në krah themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali: dom Nikollë Kaçorri e Vehbi Dibra. Figura të tilla si Elez Isufi e Isuf Xhelili, Ismail Strazimiri, Jashar Erebara, Osman Paci, janë të përmasave kombëtare dhe meritojnë nderimin tonë.Lufta e Dibrës dëshmoi se historikisht Shqipërinë e kanë dashur “të madhe” vetëm nëse do të ishte nën sundim dhe pavarësinë e saj kanë qenë të detyruar ta njohin vetëm kur dikush tjetër ka tentuar të shtrijë fuqinë e vet ushtarake dhe regjimin e pushtimit”, -tha Gjinushi.
Më pas, përshëndeti Mustafa Tola, kryetar nderi i shoqatës “Çidhna dhe Kastriotët” dhe falënderoi Akademinë e Shkencave dhe organizatorët për konferencën që përkujton këtë ngjarje epokale, jo vetëm për historinë e Dibrës, por për gjithë shqiptarinë.
Konferenca u mbajt në dy seanca. E para u drejtua nga akad. Pëllumb Xhufi, Halim Purlleku, Xhafer Martini, dhe seanca e dytë nga akad. Marenglen Verli, Bernard Zoto, Adem Bunguri.
Sipas një programi me pasuri të gjerë tematike, në 19 referate e trajtesa u evidentuan ngjarjet, priijësit, heronjtë dhe aspekte organizative e taktiko-luftarake të kësaj lufte legjendare.
Referuan akademikët Pëllumb Xhufi, Shaban Sinani, Beqir Meta e Marenglen Verdi, profesorët e studiuesit e njohur Paskal Milo, Bajram Xhafa, Adem Bunguri, Bernard Zotaj, Zaho Golemi, Halim Purellku, Moisi Kamberi, Asllan Zemani, Dritan Murrja, Sali Kadria; shkrimtari i mirënjohur dibran Xhafer Martini, historianët e studjuesit: Ali Hoxha, Mustafa Tola, Zabit Lleshi, Kadri Dauti, Haki Përnezha, etj.
Akad. Pëllumb Xhufi e vlerësoi Luftën e Dibrës si një nga hallkat kryesore të lëvizjes për pavarësimin e Shqipërisë në përgjigje të kundërveprimeve për ndarjen dhe përcaktimin e kufijve nga Fiqitë e Mëdha, ndërkohë që Serbia po zgjeronte planet e saj për pushtimin e trojeve shqiptare.
Prof. dr. Paskal Milo foli për aspektin diplomatik të rezistencës dhe luftës së dibranëve kundër ndërhyrjes dhe pushtimit jugosllav (1918-1921) dhe e konsideroi këtë moment historik si rizgjimin kombëtar, ndërkohë që forcat serbe mbanin në vitin 1918 të pushtuar krahinat verilindore si dhe ato të Dibrës së Poshtëme ,me pozicione të avancuara deri në qafën e Buallit, e qafën e Murrës, Hasin, Lumën, Malësinë e Gjakovës, Krasniqen e Kelmendin.
Prof. Milo tha se ndërkohë që Serbia po ngrinte administratat e saj në trevën e Dibrës, kjo luftë frenoi vendosjen e regjimit jugosllav në Shqipëri.
“Pa rezistencën e luftën heroike të luftëtarëve dibranë, as Lidhja e Lombeve, as fuqitë e mëdha nuk do t’i detyronin forcat serbe pushtuese të largoheshin nga Dibra. Lufta e Dibrës 100 vite më parë ishte akti i fundit i luftës për sigurimin e unitetit territorial të shtetit shqiptar. Ishte vijimi dhe pëmbysja e një procesi historik kombëtar që nisi me Kongresin e Lushnjës, vazhdoi me luftën e Vlorës e përfundoi e luftën e Dibrës. “, -tha Milo.
Të tjera kumtesa vijuan nga prof. dr. Adem Bunguri për barbarizmat serbe në Dibër në vitet 1913-1921; prof. asoc. dr. Bernard Zoto që foli për dukuri të artit ushtarak në Luftën e Dibrës; dr. Sali Kadria për profilin e nacionalizmit shqiptar në kontekstin e Luftës së Dibrës; dr. Dritan Murrja për krijimi i prefekturës së Drinit për mbajtjen e zgjedhjeve; Zabit Lleshi për betejën në Grykën e Vogël kundër serbëve në vitet 1912-1921 dhe Ali Hoxha për disa aspekte nga kryengritja e shtatorit 1913. /