Burreli përballet të dielën me Shkumbinin e Peqinit

0
19

Pas suksesit të arritur të Martën në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit, matjanët do të përballen të dielën me ekipin e Shkumbinit të Peqinit. Sfida do të jetë një test tjetër për trajnerin Alert Alcani i cili drejtimin e skuadrës së Burrelit në këtë sezon e nisi me tri pikë ndaj Apolonisë. Por prova e tij e dytë do të jetë me ndeshjet në tranfertë ku do të përballet ditën e fundit të kësaj jave me ekipin Shkumbini të Peqinit. Matjanët kanë vijuar seancat stërvitore normalisht në këtë javë pas ndaljes së reshjeve të shirave. Ata kanë shfrytëzuar terrenin e hapur, ndryshe nga një javë më parë që për shkak të motit të keq është dashur që të stërviten në ambjentet e pallatit të sportit. Për teknikun Alert Alcani, ndeshja ndaj Shkumbinit ka marrë të njëjtin vlerësim maksimal si ajo ndaj Apolonisë. Për Alcanin nuk ka asnjë dallim ndaj skuadrave që do të jenë përballë, pasi të gjitha meritojnë vlerësim maksimal dhe përgatitja do të jetë e njëjtë. Në skuadër nuk ka euforizëm, por djemtë kanë marrë edhe udhëzimet e përmirësimit të gabimeve të bëra në ndeshjen e kaluar.

“Jemi përgatitur shumë gjatë kësaj jave, pasi javën e kaluar e patëm disi të vështirë për shkak edhe të kushteve atmosferike. Këtë javë kemi punuar shumë me anën taktike por edhe fizike, pasi djemtë duhet të përballojnë 90-të minuta pa problem. Besoj që kemi bërë një punë mjaft të mirë. Unë e vlerësoj maksimalisht kundërshtarin e radhës, pavarësisht se kush do të jetë. Të njëjtin vlerësim kam edhe për ekipin e Shkumbinit të Peqinit. Dihet që gara në kategorinë e parë është e fortë dhe nuk mund të konsiderosh asnjë ekip të dobët, ndaj për neve nuk ka aspak rëndësi se ku është i pozicionuar në tabelë kundërshtari. Ne fitoren e kërkojmë tek vetja dhe jo aspak tek cilësia e ekipit që kemi përballë. Pra duke u nisur me këtë vlerësim ne japin maksimumin tonë në çdo përballje të cilën synojmë ta mbyllim në favorin e Burrelit, pra me tri pikë. Shpresoj që tja dalim edhe ndaj Shkumbinit dhe të vijojmë objektivin tonë drejt kreut të klasifikimit” – tha Alcani.

Gjithsesi, për të parë fituesin e kësaj gare, duhet pritur përfundimi i 90-të minutave lojë mes tyre të dielën në Peqin.