Bashkia Klos merr masa, heq mbetjet në Qafë Dushk

0

Pas denoncimit të Mat Tv për ndotjen e mjedisit në vendin e quajtur Qaf Dushk në fshatin Kloskatund, Bashkia Klos ka bërë të mundur heqjen e pirgut të mbeturinave të hedhura 3 ditë më parë nga një automjet që vinte nga Bulqiza.

Largimi i mbeturinave në këtë kurorë të gjelbërt me pishë është bërë nga Drejtoria e Infrastrukturës dhe Shërbimeve.

Punëtorët e kësaj drejtorie ngarkuan dy mjete me mbetje që ishin hedhur vazhdimisht në këtë zonë.

  Pika më e ndotur e aksit rrugor Klos – Bulqizë është pikërisht këtu ku më parë ka qenë një lokal, ndërsa banorët kanë konstatuar në vijimësi mjete që shkarkojnë mbeturina nga më të ndryshmet që nga plastika, inertet e deri tek ato me përmbajtje polisteroli.

Bashkia Klos është angazhuar për ta mbikqyrur këtë aks rrugor nga ndotësit dhe në rast të konstatimit të tyre, t’i përballë ato me ligjin.