
Mungesa e investimeve në fshatin Lladomericë të Njësisë Administrative Ostren në Bashkinë e Bulqizës ka bërë që banorët ta braktisin nga viti në vit. Por ndërtesat e lëna aty janë rrënuar me kohën, duke u kthyer në një problem madhor për banorët e mbetur ende në këtë fshat. Ndërtesat e braktisura kanë një distancë shumë të afërt me shtëpitë e banimit që ende jetojnë njerëz në to, e nisur nga kjo banorët rezident thonë se po ju rrezikohet jeta. Ata shprehen se kanë njoftuar pronarët e banesave, pushtetin vendor dhe policinë por nuk është marrë asnjë masë. Godinat drejt rrënimit jo vetëm që po prishin shtëpitë e banueshme, por rrezikojnë jetën e fëmijëve që luajnë andej rrotull.
Banorët i bëjnë thirrje pushtetit vendor që të ndërhyjë sa më parë, sa ende nuk është shënuar ndonjë tragjedi, pasi ndërtesat e braktisura po shemben çdo ditë.