
Bashkia e Klosit ka nisur punën për nxjerrjen nga izolimi të banorëve të tre lagjeve në fshatin Rripë të Njësisë Administrative Gurrë. Lagjet “Pjetri”, “Alla” e “Boza” ishin izoluar prej disa javësh për shkak të rrëshqitjes së dherave apo dëmtimit të rrugëve të tyre. Të tre këto lagje ishin pa rrugë funksionale, për shkak të dëmtimit të madh të tyre. Këtë të Mërkurë Bashkia e Klosit ka nisur punën për rivënien në efiçencë të rrugëve të këtyre lagjeve. Fillimisht puna ka nisur me hapjen e rrugës së lagjes “Boza” e më pas pritet të vijojë në lagjet e tjera. Zëvendëskryetari i Bashkisë Klos, Armand Gjinaj tha se problemet më të mëdha të shkaktuara nga shirat e Janarit, kanë qenë në Njësinë Administrative Xibër dhe Gurrë, pikërisht në lagjet e fshatit Rripë. Por sipas tij, bashkia do të vijojë punën për t’i rikthyer këto rrugë në shërbim të banorëve.
Shirat e shumtë të rëna gjatë Janarit krijuan probleme edhe në fshatin Gurrë e Vogël, duke rrezikuar edhe banesa. Por ndërhyrja në kohë e strukturave vendore, shmangi probleme të mëdha.