– Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, kantieri më i madh aktualisht në qytet, po merr formë dita-ditës ku puna ka vijuar intensivisht dhe pa u ndalur.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga punimet në këtë kantier.
“MIRËMËNGJES, dhe me buzëqeshjen që më ngjallin sa herë shoh ecurinë e punës me aeroportin, çunat kuksianë me dy gishta të Londrës, që ma kanë bërë copë “librin e shpis” kur postoja projektin 3D, ju uroj të gjithëve një javë të mbarë”, shprehet Rama.
Aeroporti i Kukësit ka një territor prej 512 mijë metra katrorë, me një gjatësi piste prej 1900 metrash dhe gjerësi 45 metra. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë.
Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit. Projekti parashikon të gjitha ndërhyrjet e nevojshme për ta bërë aeroportin e Kukësit një aeroport të standardeve europiane, pjesë e të cilit do të jetë zgjerimi i pistës në krahun verior me rreth 500 metra, një terminal i ri, si dhe një kullë e re.
https://m.facebook.com/watch/?v=184268440154726&_rdr