
Dy ditë pas zgjedhjeve vendore në Dibër, më 13 janar 2016, shefi i komisariatit në qytetin verilindor, Robert Aga, informohet se një person nga njësia administrative Kastriot ka bërë një video komprometuese dhe është nisur drejt Tiranës për ta dërguar në një televizion.
Sipas informacionit që merr Aga, kameramani amator ka udhëtuar fillimisht me furgon drejt fshatit Shupenzë të Dibrës dhe më pas ka hipur në një automjet “Benz” me persona të tjerë dhe pasi ka kaluar Qafën e Buallit, është rrugës për në Tiranë. I alarmuar, Aga lidhet me një punonjës të policisë rrugore të Matit dhe i kërkon që ta ndalojë personin në fjalë.
“Ka diçka, një material aty që nuk duam të na e çojë nga Tirana,” thotë Aga në një bisedë të përgjuar nga Prokuroria.
Të mbështetur në udhëzimet e shefit të komisariatit të Dibrës, punonjësit e policisë rrugore të Burrelit pozicionohen në postobllok, por nuk e gjejnë dot dibranin me videon komprometuese, pasi gabimisht ndalojnë një tjetër automjet.
Sipas verifikimeve të kryera nga Prokuroria, Aga kishte qëllim të ndalonte publikimin e një video-filmimi në emisionin investigativ “Stop” të televizionit Klan, në të cilin ekspozohen persona që ofrojnë para në këmbim të votës në afërsi të qendrës së votimit të ngritur pranë shkollës 9-vjeçare të fshatit Kllobçisht të Dibrës, gjatë zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie.
Në kërkesën dërguar gjykatës – një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, Prokuroria e Dibrës ngre akuzë ndaj Robert Agës për shpërdorim detyre. Bashkë me ish-shefin e komisariatit të Dibrës, të pandehur janë marrë edhe dy ish-administratorë të njësive vendore të Dibrës – Nuri Meda dhe Hasan Hoti dhe ish-drejtori i Drejtorisë Arsimore, Drini Gjeci, të akuzuar për blerje votash dhe shpërdorim detyre. Katër të pandehurit i kanë mohuar akuzat.