Banorët e lagjes Zall-Unjate: Të përfundohet investimi tek rruga, ka akoma mangësi

0

Banorët e lagjes Zall-Unjate në Bashkinë Klos kërkojnë që pushteti vendor të rikthehet duke investuar deri në fund të rrugës së lagjes së tyre. Bashkia Klos nisi rehabilitimin e kësaj rruge e cila prej vitesh ishte jo funksionale. Procesi në të ishte zgjerimi i karrexhatës, shtrimi i saj me çakull si dhe vendosja e tumbinove në vende të nevojshme. Por banorët ngrejnë shqetësimin se ndërhyrja në këtë rrugë nuk shkoi deri në fund, pasi në fshat ende jo të gjitha mjetet automobilistike futen. Ata i kërkojnë Bashkisë Klos që të vijojë investimin pasi në dimër situata bëhet akoma edhe më e vështirë.
Nga ana tjetër banorët e Lagjes Zall-Unjate shprehen se problem mbetet edhe uji i pijshëm. Sipas tyre, mungesa e një ujësjellësi i ka detyruar të pijnë ujë nga burime të pakontrolluara e të pasigurta higjenikisht.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve dhe Infrastrukturës në Bashkinë Klos, Jetmir Dedolli u shpreh se shkak për ndërprerjen e punës në këtë rrugë janë bërë defektet tek mjetet e punës. Ai shtoi se ndërhyrja do të mbyllet brenda javës së ardhshme.