Peshkopi-Skuraj/ Ja vlera e “frikshme” që do të investohet në sinjalistikë

0

Autoriteti Rrugor Shqiptar i është përgjigjur kërkesës për informacion të dërguar nga Mat Televizion pak ditë më parë në lidhje me investimin në rritjen e sigurisë në rrugën nacionale Skuraj – Peshkopi.
Vendosja e barrierave metalike anësore në aksin Klos – Bulqizë kishte nisur prej ditësh por nuk kishte një tabelë informacioni për investimin. Kjo ishte edhe arsyeja që ju drejtuam zyrtarisht Autoritetit Rrugor Shqiptar për informacion. Në përgjigjen e kthyer nga Përgjegjësja e Sektorit të Mirëmbajtjes së Rrugëve pranë Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes, në ARRSH thuhet se: “Autoriteti Rrugor Shqiptar, me fondet e buxhetit të shtetit, po zbaton projektin “Përmirësimi i sigurisë rrugore në segmentet me rrezik të lartë në rrjetin rrugor kombëtar”. Ky projekt konsiston në instalimin e barrierave mbrojtëse metalike/guardrelet në vendet me rrezikshmëri të lartë, me qëllim parandalimin e aksidenteve. Ai përmban ndërhyrje të tilla në disa segmente, midis të cilëve, pas inspektimeve të specialistëve të sigurisë rrugore, është përfshirë edhe segmenti Skuraj – Burrel” – thuhet në përgjigje.
Po ashtu ARRSH ka bërë të ditur edhe firmën zbatuese të projektit e cila është “JUBICA “shpk. Vlera e investimit, sipas kontrates së lidhur, është 202,000,050 leke (pa TVSH). Për këtë vit investimi sipas ARRSH do të jetë vetëm në rritjen e parametrave të sigurisë ndërsa vitin e ardhshëm është menduar të vijojnë projekte për ndërhyrje në sinjalistikë.