
Kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, së bashku me deputeten e Qarkut Dibër, Almira Xhembulla, inspektuan këtë fundjavë në terren punimet e deritanishme për shtrimin me asfalt të rrugës së Kodrës së Danit.
Gjatë këtij inspektimi, ata u shoqëruan nga administratori i Njësisë Administrative Fushë-Bulqizë, Shkëlqim Çanga dhe u takuan me banorë të zonës, me të cilët diskutuan edhe rreth disa përmirësimeve të nevojshme para finalizimit të këtij projekti, të tilla si; sinjalistikat rrugore, barrierat mbrojtëse, etj.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, kryebashkiaku Lefter Alla shkruan se shtrimi me asfalt i rrugës së Kodrës së Danit ishte një nga premtimet e tij elektorale, i cili sot është bërë realitet.
Shtrimi i kësaj rruge është mundësuar me fondet e Bashkisë dhe do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e lëvizjes së banorëve të kësaj zone.