Rruga nacionale Burrel – Skuraj. 36 kilometra makthi për udhëtarët

0
5

Rruga nacionale Burrel – Skuraj vijon të jetë makthi i drejtuesve të mjeteve. Aksi prej 36 kilometrash është kthyer në një gangrenë të madhe për të gjithë ata përdorues rruge që duhet të lëvizin në të. Shfaqja e gropave të mëdha e ka bërë qarkullimin e të gjitha mjeteve të rrezikshëm. Tashmë problemi nuk është në disa segmente, por në të gjithë aksin. Por si të mos mjaftonin gropat, në këtë rrugë ka ulje të karrexhatës çka e bën lëvizn akoma edhe më të rrezikshme dhe shkak për aksidente automobilistike. Vetë drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët shprehen se gjendja është tmerrësisht e keqe, por janë të detyruar të lëvizin në këtë rrugë. Ata thonë se më parë duhet bërë tapeti i karrexhatës e më pas të mendohet për përmirësimin e sinjalistikës apo elementëve të sigurisë.
Pak javë më parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi një tender për rritjen e parametrave të sigurisë dhe sinjalistikës në këtë rrugë e disa segmente të tjera me një vlerë prej 2 miliard lekësh të vjetra. Por drejtuesit e mjeteve dhe specialistëve rrugor mendojnë që ndërhyrja më parë duhet bërë në shtresën asfaltike e më pas të mendohet për elementët e tjerë të saj.