Majtara, fshati që po braktiset nga mungesa e investimeve

0

Fshatrat e Dibrës vijojnë të përballen me probleme jetike siç është infrastruktura rrugore, uji i pijshëm, ai vaditës e ndotja e mjedisit. Në një situatë të tillë është edhe fshati Majtarë në Njësinë Administrative Maqellarë. Edhe pse ai ndodhet jo më shumë se 1 kilometër larg doganës së Bllatës apo shtetit fqinj të Maqedonisë së Veriut, problemet në të janë të shumta. Pak banorë të mbetur aty shprehen se fshati po braktiset çdo ditë pasi ju mungojnë kushtet më minimale të jetesës. Në këtë fshat piktoresk, nuk ka ujë të pijshëm. Mungesa e ujit vaditës i ka lënë të gjitha tokat bujqësore djerr. Por çështë më e keqja, 1 kilometër rrugë nga ajo e doganës deri në qendër të fshatit herë herë bëhet e pakalueshme. Banorët janë të detyruar që të jetojnë bashkë me ujërat e zeza të cilat rrjedhin lirshëm në sipërfaqe para banesave të tyre apo në rrugë. Banorët e Majtarës shprehen se sa herë ka zgjedhje marrin premtime për zgjidhje të këtyre problemeve, por kur drejtuesit vendor apo deputetët marrin mandatin, nuk shihen më në fshat.
Banorët janë të bindur se të njëjtat premtime do të marrin edhe në fushatën e ardhshme elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, por tashmë fshati pothuajse është braktisur, e nuk ka më kush t’i votojë.