
Ashtu siç ishte planifikuar, ekipi i futbollit “Burreli” u përball këtë të enjte me pretendenten kryesore të grupit B për kalimin në superligë, Egnatian e Rrogozhinës. Ndeshja u zhvillua në stadiumin e Kamzës në Tiranë ku të dy ekipet e kategorisë së parë treguan rivalitet në fushën e gjelbërt. Takimi është mbyllur me shifra të barabarta 2 me 2.
Ndërkohë kanë qenë matjanët që kanë shënuar të parët në minutën e 32 me Raboshtën. Pjesa e parë është mbyllur me avantazhin e matjanëve. Miqtë gjetën golin me brazilianin Markos në minutën e 57. Vetëm 20 minuta më vonë, djemtë e drejtuar nga tekniku Samuel Nikaj kalojnë sërisht ekipin e tyre në avantazh. Është Punavija i cili gjuan saktë dhe tund rrjetën e portës mike. Goli i barazimit do të vinte në minutën e 88. Braziliani Jackson gjuan drejt portës së “Burrelit”, por topi godet fillimisht një mbrojtës matjan e më pas shkon në rrjetë, duke barazuar shifrat në 2 me 2
Duke patur parasysh rezultatet e miqësoreve të Burrelit me ekipe të superligës si në vendin tonë por edhe në Kosovë, tregon se edhe rrogozhinasit kanë ndërtuar një ekip serioz e pretendent në grupin e tyre për të qenë në krye të klasifikimit të grupit B.