
18-vjeçari Ardian Pali, nga fshati Dypjakë i Dibrës, prej 4 muajsh ka humbur kontaktet me familjen dhe ende nuk ka asnjë informacion për zhdukjen misterioze të tij.
Familjarët thonë se ai ka humbur më 18 maj, teksa kishte dalë në Malin e Korabit për të mbledhur bimë mjekësore për të shitur. Ndërkohë që për ditë të tëra me radhë familjarët e tij dhe dhjetëra banorë të fshatit u ngjisnin në mal për të kërkuar për të, por që fatkeqësisht kërkimet nuk kanë çuar në asnjë gjurmë të tij.
Kërkime gjithashtu janë zhvilluar edhe nga policia maqedonase, pasi dyshohej se i riu duke mbledhur bimë mund të kishte kaluar në anën tjetër të kufirit, por as kjo nuk dha asnjë rezultat për gjetjen e tij.
Në kushte të tilla, Prokuroria e Dibrës, e cila po heton këtë zhdukje të mistershme, e regjistroi procedimin për rrëmbim personi. Gjatë kryerjes së disa veprimeve, Prokuroria mësohet se po ndjek një pistë, e cila na kthen disa vite pas, kur qindra shqiptarë u rekrutuan nga grupet terroriste të ISIS-it dhe dërgoheshin në Siri dhe Irak për të luftuar.
Hetuesit kanë disa të dhëna që Ardian Pali të ketë përfunduar në zonat e konfliktit të Siri. Nga disa verifikime paraprake dyshohet që 18-vjeçari të jetë takuar me persona të tjerë në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë dhe me pas ka udhëtuar për në Turqi, ndërsa destinacioni përfundimtarë ka qenë Siria.
Familjarë të të zhdukurit me anë të telefonit kanë kontaktuar me një person, i cili ndohet në Siri dhe e kanë pyetur nëse e kishte parë djalin e tyre, Ardian Palin. Ai fillimisht iu ka thënë po, ndërsa më vonë nuk kanë mundur të kontaktojnë më me të. Hetimet e Prokuroisë për këtë çështje janë shtrirë edhe në qytetin e Durrësit, pasi Ardian Pali ka qëndruar për disa kohë atje, ku edhe për një vit ka marrë mësime fetare.
Hetuesit do të pyesin persona në këtë qytet, të cilët mendohet se mund të kenë informacion të vlefshëm për zhdukjen e maturantit.
Ajo që po përpiqet të bëjë Prokuroria është të krijojë bindjen nëse kemi të bejmë me një grup që e ka dërguar për në Siri apo Pali ai ka ikur i vetëm. Në këtë hetim janë përfshirë edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Prokuroria e Dibrës ka dërguar letër porosi për të marrë informacion mbi lëvizjen e mundshme të Ardian Palit dhe personat të cilët mund ta kenë pritur.