Trondit e mitura: Roja e shkollës ka abuzuar edhe me dy vajza të tjera

0

Abaz Doga, roja i shkollës në Babrru që sot doli përpara gjykatës për abuzimin seksual me një minorene, ka abuzuar edhe me dy vajza të tjera të po kësaj shkolle.

Dëshmia tronditëse u bë nga vetë 15-vjeçarja e cila një vit më parë (kur ishte 14 vjeçe) ka rënë pre e abuzimit kafshëror të 65-vjeçarit dhe tre të rinjve të tjerë, duke e shantazhuar me foto dhe video intime.

E mitura ka rrëfyer se gjithçka nisi në muajin mars 2019, atëherë kur roja e kanosi dhe se në maj 2019, ai kishte shkruar emrin e saj në të gjithë lagjen, ndërsa e kërcënonte se i dinte historitë e saj dhe se do t’i bënte ato publike.

Pas këtij momenti, minorenia është dorëzuar. 65-vjeçari për të çuar deri në fund abuzimin e tij, i ka bërë video dhe pamjet i ka shpërndarë te tre djem adoleshentë. Këta të fundit, duke i bërë presion e shantazh dhe kanë abuzuar edhe ata seksualisht me vajzën atëherë 14 vjeçe.

Abuzuesi mbulon fytyrën me pëllëmbë: S’kam ushtruar dhunë
Abaz Doga sot përpara trupit gjykues nuk i hoqi pëllëmbët nga fytyra derisa nga salla e gjyqit u larguan kamerat e mediave. Ai e pa gjyqtarin në sy dhe veç gjeneraliteteve i tha ”nuk kam ushtruar dhunë ndaj saj”.

Ky version u mbajt edhe nga avokati që ishte caktuar me prokurë nga familja e tij. Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” Abaz Dogën, 20-vjeçarin dhe dy të miturit që dyshohet se kanë përdhunuar 15-vjeçaren.

Ndërkohë për shkak të ndryshimeve ligjore, në gjyq mori pjesë edhe avokatja e të miturës që sipas kodit penal përfaqëson të drejtat e viktimës. Avokatja ishte e pranishme kur e mitura u pyet në polici dhe ka treguar rrjedhën e ngjarjes.

Hetime edhe ndaj shkollës
Ndërkohë hetimet janë zgjeruar edhe në drejtim të shkollës, ndërsa verifikime po kryhen edhe në adrese të inspektorëve të zonës për të kuptuar a kanë reaguar në kohë përderisa emri i fëmijës bashkë me sharjet ndaj saj gjendeshin jo vetëm në hyrje të shkollës, por në të gjithë lagjen.